Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) mbajti takim diskutues lidhur me gjendjen e zbatueshmërisë së standardeve të qeverisjes së mirë në nivel komunal në Kosovë. Përfaqësues të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, anëtarë të kuvendeve komunale, përfaqësues së komunave dhe të organizatave të shoqërisë civile diskutuan për rëndësinë e ndjekjes së parimeve së qeverisjes së mirë në nxjerrjen e vendimeve më të mira dhe eficiente në nivel lokal, si dhe arritjes së përgjegjësive legjislative të qeverisjeve lokale, dhe krijimit të bazës gjithëpërfshirëse, transparente dhe llogaridhënëse në vendimmarrje komunale.
Duke marrë për bazë përceptimin e hendekut të njohurive të zyrtarëve komunal dhe qytetarëve për funksionim korrekt të procedurave dhe marrëdhënieve në institucionet publike lokale, gjatë këtij takimi u bë edhe testimi i platformës interaktive për qeverisje të mirë, i cili po zhvillohet nga D4D dhe do të lansohet së shpejti. Duke marrë parasysh se në Kosovë ka zyrtarë publikë të cilët kanë vështirësi për të kuptuar qeverisjen e mirë kur ushtrojnë detyrat e tyre të përditshme dhe standardet që duhet t’i përmbahen gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, platforma informuese Qeveris mirë adreson këtë problem duke ofruar sqarime për marrëdhëniet midis organeve komunale dhe qytetarëve, midis vetë organeve komunale dhe secilit organ komunal ndaj shtetit, duke përcaktuar proceset e mira vendimmarrëse ashtu siç është përcaktuar me ligj.
Ky aktivitet u mbajt në kuadër të projektit “Pjesëmarrje e gjerë për qeverisje të mirë”, i cili implementohet nga D4D, me mbështetje nga Ambasada Holandeze në Kosovë.