X
GO
sq-ALsr-Latn-RSen-GB

 

Burimet e të hyrave vetanake të komunave janë:

  • Taksa në pronën e paluajtshme;  
  • Taksa për lejen e ushtrimit të veprimtarisë afariste;
  • Taksat për lejen e për shërbime profesionale;
  • Taksa për automjetet motorike;
  • Taksat administrative komunale;
  • Taksat për lejet për ndërtimin dhe rrënimin e ndërtesave dhe strukturave të tjera;
  • Taksat për lëshimin e certifikatave dhe dokumenteve zyrtare;
  • Tarifat rregullative për zhvillimin ose ruajtjen e infrastrukturës;
  • Gjobat në trafik;
  • Gjobat për shkeljen e rregulloreve komunale;
  • Të hyrat nga qiradhënia;
  • Bashkëpagesat për arsim dhe shëndetësi.

e hënë, 12 mars 2018

Burimet e të hyrave

Pavarësisht nga forma e mbledhjes, të gjitha të hyrat vetanake të komunës depozitohen në nënllogarinë për të hyrat vetanake të komunës përkatëse në Buxhetin e Kosovës, brenda llogarisë së Thesarit. Shumica e kategorive të të hyrave më lart janë të hyra direkte, që nënkupton që administrohen dhe mblidhen nga vetë administrata komunale. Në anën tjetër, disa prej tyre (siç janë gjobat e trafikut) janë të hyra indirekte, d.m.th mblidhen nga ministritë ose agjencitë përkatëse në nivel qendror dhe më pas transferohen në llogarinë e komunës.

Vendosja e taksave, tarifave,gjobave, dhe lartësia e tyre rregullohet në baza vjetore nga secila komunë me rregulloren taksat, tarifat dhe ngarkesat e cila duhet të miratohet nga kuvendi i komunës. Por, në rastin e disa prej taksave, tarifave e gjobave, lartësia e tyre ose mënyra e shfrytëzimit duhet të jetë në përputhje me kriteret dhe procedurat e përcaktuara me  ligje të fushave relevante.

 Financimi nga të hyrat vetanake ka disa përparësi komuna i shfrytëzon ato në mënyrën që konsideron që më së miri i plotësonte nevojat e komunitetit, sepse nuk janë të hyra të destinuara; për dallim prej granteve qeveritare, fondet nga këto të hyra barten në buxhetin e vitit tjetër për komunën përkatëse, do të thotë nuk mund të kthehen prapa në buxhetin qendror  pavarësisht se a mbetet suficit apo jo, siç ndodhë për shembull me grantin qeveritar, të cilin komunat zakonisht nxitojnë ta shpenzojnë para fundit të vitit fiskal.

Pjesëmarrja e të hyrave vetanake në buxhetet e komunave të Kosovës është diku rreth 10-20%, dhe brenda këtyre të hyrave kontribuesi kryesor është tatimi në pronë.

Për të ekzistuar procesi i qeverisjes së mirë si anëtar/e i/e kuvendit të komunës duhet:

Të shqyrtoni me shumë kujdes të gjitha dokumentet relevante që propozohen nga ekzekutivi i komunës siç janë: Planifikimi i të hyrave vetanake të komunës, Rregullorja komunale mbi taksat, tarifat dhe ngarkesat, Rregullorja komunale mbi tatimin në pronë.

Kur shqyrtohen këto dokumente konsideroni efektet ekonomike dhe arsyeshmërinë e tyre, p.sh, arsyeja pse është vendosur lartësia e caktuar e taksave, pse ështe vendosur norma tatimore dhe pse janë vendosur në mënyrë të caktuar kriteret për vlerësimin e pronës në mënyrë të tillë.

Sidomos mbani kontakt me qytetarët dhe informoni ata se cilat projekte do mund të financoheshin nga të hyrat vetanake përmes pagesave që i bëjnë vetë qytetarët. Qytetari duhet të informohet me faktin se të hyrat që paguajnë për tatimet dhe ngarkesat komuna prapë shpenzohen në komunën e tyre.

Të mbikëqyret puna e inspektorëve të komunës duke vlerësuar përfshirjen e tatimpaguesve, regjistrimin e pronave të reja, nivelin e e faturimit, nivelin e realizimit të të hyrave, masat që janë ndërmarrë për të mbledhur detyrimet etj.

Grantet operative

Shuma e grantit për shëndetësi primare bazohet në numrin e popullësisë së komunës dhe standardet nga Ministria e Shëndetësisë. Normalizimi i numrit të popullatës merr në konsideratë strukturën moshore dhe gjinore të popullatës, si dhe numrin e personave të moshuar dhe të atyre me nevoja të veçanta shëndetësore. Granti specifik për shëndetësi primare për vitin 2018 është aprovuar nga Komisioni i Granteve në shumë prej 48.5 milion euro.

Shuma e grantit për arsim parauniveresitar bazohet në numrin e nxënësve të regjistruar standardet e siguruara nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Formula e këtij granti gjithashtu merr parasysh programin mësimor kombëtar, arsimin për nxënës me nevoja të veçanta, shpenzimet operative (përveç pagave), standardin e madhësisë së klasës. Për nxënësit e pakicave entike dhe për shkollat e viseve malore ndahet financim mesatarisht më i lartë për nxënës, duke pasur parasysh numrn e vogël të klasëve. Granti specifik për arsim parauniversitar për vitin 2018 është aprovuar nga Komisioni i Granteve në shumë prej 170.2 milion euro.

Granti i përgjithshëm 

Me qëllim të financimi të kompentencave të tjera komunale, Ligji për financat e pushetit lokal parasheh një grant të përgjithshëm, bazuar në formulën  e përcaktuar në nenin 24 të Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal. Ky grant përbënë 10% të të hyrave totale të buxhetuara të Qeverisë qendrore (d.m.th. pa të hyrat vetanake të komunave), duke përjashtuar: të hyrat nga shitja e pasurive, të hyrat e tjera të jashtëzakonshme, të hyrat e dedikuara, dhe të hyrat nga huamarrja, grantet e përcaktuara të donatorëve.

Ndarja e këtij granti në mes komunave ka për qëllim të sigurojë stabilitet të të hyrave komunale, të promovojë barazi ndërmjet komunave, dhe qasje në shërbime publike për secilën komunë dhe për komunitetet pakicë në komunat përkatëse. Prandaj, ndarja e këtij granti në mes komunave bazohet në disa kritere:

Nga kjo shumë, zbriten ato të hyra siç specifikohet në nenin 24 të Ligji për financat e pushetit lokal dhe vijmë tek baza për ndarjen e grantit të përgjithshëm për komuna, i cili grant për vitin 2018 është në shumë prej 173.6 milion euro.  Pjesa prej 2.7% e grantit të përgjithshëm shpërndahet për 14 komunat që kanë numër të popullsisë nën 22,000 banorë. Nga kjo shumë, gjysma ndahet për këto 14 komuna bazuar në numrin e banorëve që kanë dhe gjysma tjetër ndahet si shumë fikse e njëjtë për secilën nga këto komuna.

Me qëllim të nivelizimit të kapacitetit të ulët të të hyrave vetanake të komunave më të vogla, secila komunë fillimisht pranon për çdo vit një shumë të përgjithshme fikse prej 140,000 euro, duke zbritur nga 1 euro për kokë banori ose 0 euro për komunat me popullsi të barabartë ose më të madhe se 140,000 banorë. Pastaj shuma e mbetur më pas ndahet në mes komunave individuale duke u bazuar në formulën për shpërndarjen e grantit të përgjithshëm në komuna sipas LFPL:  numri i popullsisë llogaritet me tetëdhjetë e nëntë përqind (89%); përmasat gjeografike të komunës me gjashtë përqind (6%); numri i popullsisë pakicë në komunë tre përqind (3%); komunat ku shumica e popullsisë së të cilave përbëhet nga pakicat kombëtare me dy përqind (2%).

Për dallim prej granteve për shëndetësi dhe arsim, të cilat duhet të cilat i dedikohen më mënyrë specifike këtyre shërbimeve, mënyra e shpenzimit të grantit të përgjithshëm është në diskrecion të vetë komunës.

Burimet tjera të financimit

Transferet për kompetencat e deleguara janë transfere nga ministritë përkatëse te komunat për të ushtruar funksionet e deleguara nga niveli qendror.

Grantet për kompetencat e shtuara janë grante të cilat u jepen komunave të cilave me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale u janë dhënë kompetenca të shtuara vetanake:

  • Për komunat e Mitrovicës së Veriut, Graçanicës dhe Shtërpcës: kompetencat e zgjeruara për ofrimin e përkujdesit dytësor shëndetësor, përfshirë regjistrimin dhe licencimin e instutucioneve të përkujdesit shëndetësor, punësimin, pagesën e rrogave dhe traknimin e personelit dhe administratorëve.
  • Për Komunën e Mitrovicës së Veriut: kompetencat për shkollimin universitar, duke përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve shkollore, punësimin, pagesën e rrogave dhe trajnimin e instruktorëve dhe administratorëve arsimorë.
  • Për të gjitha komunat ku komuniteti serb është shumicë: kompetenca për të ushtruar përgjegjësitë për çështjet kulturore dhe të drejta të zgjeruara për pjesëmarrje në zgjedhjen e komandantëve të stacioneve policore lokale.

Këto grante janë të veçanta nga granti i përgjithshëm dhe, ngjashëm me grantet për shendetësi dhe arsim, janë të dedikuara për kompentencat e shtuara dhe nuk mund të shpenzohen për aktivitete të tjera.

Grantet e jashtëzakonshme u ndahen komunave në raste të jashtëzakonshme në rast të ndonjë rasti që ka ndikim serioz në komunë (siç është fatkeqësia natyrore) për të ndihmuar komunën të përballojë këto raste finaciarisht.

Huamarrja si formë e financimit të investimeve të komunës është e lejuar mirëpo komunës nuk i lejohet të financohet nga borxhi ndërkombëtar, shuma e borxhit duhet të jetë e mbuluar nga kolaterali në pronësi të komunës dhe nuk mund të kalojë 50% të të hyrave vetanake të komunës gjatë vitit të kaluar, etj. Kërkesa për huamarrje nga ana e komunës duhet të miratohet nga Kuvendi i Komunës, dhe të autorizohet nga Ministri i Financave.

Ndihma financiare nga Republika e Serbisë është e lejuar sipas Ligjit për financat e pushtetit lokal dhe Ligji për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë. Ky i fundit i përcakton ndihmat financiare të komunës nga Republika e Serbisë si të ardhura të dedikuara të asaj komune dhe obligon komunat që këto t’i shfrytëzojnë vetëm për qëllime që ndërlidhen drejtpërdrejt me ushtrimin e kompetencave të tyre komunale. Ndihma financiare nga Republika e Serbisë nuk ndikon në madhësinë e granteve qeveritare të komunës.

Vegëza Relevante

Print
0 Klikoni këtu për të pyetur Komunën

Categories: Menaxhimi financiar, Burimet e të hyraveNumber of views: 660300

Pyet Komunën:

x