X
GO
sq-ALsr-Latn-RSen-GB

 

Kuvendi i Komunës është përgjegjës për miratimin dhe mbikëqyrjen buxhetit të komunës, ndërsa kryetari i komunës mbikëqyr administrimin e financave të komunës dhe zbatimin e vendimeve që miratohen nga kuvendi.

 Kuvendi duhet të ketë informata të mjaftueshme për të bindur veten se financat janë në rregull dhe se objektivat e planifikimit buxhetor dhe financiar janë duke u përmbushur. Dallimi në mes të rolit të kuvendit dhe ekzekutivit është i rëndësishëm në këtë fushë.

e shtunë, 17 mars 2018

Planifikimi dhe implementimi i buxhetit

Procesi i planifikimit të buxhetit të komunës

Në planifikimin e buxhetit të komunës përfshihen një mori e institucioneve sikurse Kuvendi i Kosovës, Qeveria dhe Ministria e Financave dhe institucione të pushtetit lokal si kryetari dhe kuvendi i Komunës. Gjithsesi ndikim të madh në këtë proces e kanë vetë qytetarët.

  1. Deri me 30 prill, Qeveria e Kosovës i dorëzon Kuvendit të Kosovës Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve.
  2. Ministria e Financave deri më datën 15 maj nxjerrë Qarkoren buxhetore të 1-rë, që përmban udhëzimet për procesin buxhetor, kufijtë buxhetor, kalendarin buxhetor.
  3. Deri më 30 qershor, komuna duhet t`ia dorëzojë Korrnizën Afatmesme Buxhetore (KAB) të miratuar nga kuvendi i komunës Ministrisë së Financave.
  4. Planifikimi vazhdon me dorëzimin nga ana e zyrtarit kryesor të financave tek secili departament komunal i Qarkores së 1-rë buxhetore të brendshme komunale ku kërkohet përgatitja e propozimeve buxhetore dhe dorëzimi i tyre tek ZKF. Pastaj, ZKF departamenteve ua dorëzon Qarkoren e 2-të buxhetore të brendshme komunale e cila përmban informata dhe udhëzime mbi limitet e shpenzimeve dhe Qarkoren e 3-të buxhetore të brendshme komunale e cila përmban orarin për organizimin e dëgjimeve buxhetore.
  5. Ministria e Financave deri më 15 gusht nxjerr Qarkoren buxhetore të 2-të e cila siguron udhëzimet përfundimtare buxhetore dhe nivelet përfundimtare të granteve.
  6. Kryetari i komunës deri më datë 1 shtator, ia dorëzon kuvendit të komunës propozim buxhetin për vitin e ardhshëm.  Kuvendi i komunës deri më 30 shtator duhet të aprovojë dhe t`ia dorëzojë Ministrisë së Financave buxhetin e komunës për vitin e ardhshëm.
  7. Qeveria pasi e miraton propozim Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës dhe Propozim Ligjit për Ndarje Buxhetore, ia dorëzon Kuvendit të Kosovës deri më 31 tetor.  Kuvendi i Kosovës miraton buxhetin për vitin e ardhshëm deri më datën 31 dhjetor.

Krahas të gjitha këtyre procedurave dhe afateve kohore, nëse ndodh planifikimi joadekuat mund të bëhet procesi i rishikimit të buxhetit. Vendimi për ndërmarrjen e një veprimi të tillë si dhe afati kohor për realizimin e saj bëhet me udhëzime të veçanta të Minisitrisë së Financave.

Buxheti dhe Anëtarët e Kuvendit të Komunës

Anëtarët e Kuvendi të Komunës duhet të kenë informata të hollësishme mbi secili hap të procesit të planifikimit të buxhetit të komunës sepse afati kohor prej 30 ditësh në mes të datës 1 shtator dhe datës 30 shtator nuk është i mjaftueshëm për anëtarët e kuvendit të komunës që të sigurohen se propozim buxheti i pranuar nga kryetari i komunës është në përputhje me kërkesat e qytetarëve të komunës. Në këtë kontekst, kuvendi i komunës duhet ta ftojë zyrtarin kryesor financiar në afatet përkatëse që anëtarëve të kuvendit të komunës tu japë informata mbi qarkoret buxhetore. Në të njëjtën kohë, anëtarët e kuvendit të komunës këto informata mund t’i gjejnë në Ministrinë e Financave dhe në Drejtorinë për Buxhet dhe Financa të komunës së tyre.

Rolet e institucioneve të komunës në planifikim dhe implementim të buxhetit

Kryetari i Komunës i dërgon kuvendit të komunës projekt buxhetin vjetor dhe buxhetin e miratuar për aprovim.

Komiteti për Politikë dhe Financa, posaçërisht, dhe kuvendi i Komunës në përgjithësi, kanë përgjegjësi të madhe në fazat e planifikimit dhe mbikëqyrjes së financave komunale. Në fazën e planifikimit, Komiteti për Politikë dhe Financa shqyrton dokumente të rëndësishme si buxhetit komunal, korniza afatmesme buxhetore komunale, plani i prokurimit dhe i jep rekomandimet për veprime kuvendit të komunës.

Kuvendi i Komunës duke marrë parasysh edhe rekomandimet nga komiteti për politikë dhe financa, të shqyrtojë, dhe në rast pajtimi, të miratojë, dokumentet kyçe të komunës që lidhen me menaxhimin e financave komunale.

Rolet e institucioneve komunale në përpilimin e buxhetit komunal

Institucionet qendrore

Departamenti i Buxhetit Komunal është department në kuadër të Ministrisë së Financave që merret me financat komunale. Ky department është i përfshirë në proceset e planifikimt dhe zbatimit të financave komunale, pasi që:

  • Përgatit propozim-buxhetin për komuna
  • Përgatit pjesën e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve (KASH) Komunale
  • Ndihmon komunat në zbatimin e buxhetit;
  • Shqyrton dhe vlerëson kërkesat për ndryshimin e ndarjeve buxhetore;
  • Analizon dhe ofron rekomandime rreth transfereve, rialokimeve dhe dorëzimeve tjera që kanë të bëjnë me ndarjet buxhetore;
  • Menaxhimin e sistemin elektronik të të dhënave (BDMS), Programin e Investimeve Publike (PIP) apo sisteme tjera për komunat; etj.

Analistët e Buxhetit Komunal, bashkëpunojnë me zyrat  komunale për të gjitha çështjet e menaxhimit financiar të komunave. Për shembull, ata pranojnë kërkesat nga komunat dhe i dorëzojnë për procedim; informojnë dhe këshillojnë komunat me qëllim të respektimit të kornizës ligjore dhe vendimeve të marra në nivel ministror; informojnë dhe këshillojnë komunat në rast se ka deficit të mjeteve në kategoritë ekonomike; etj. 

Komisioni i Granteve është institucion ndërqeveritar, përbëhet nga nëntë anëtarë: Kryeministri, Ministri i Financave, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, një Ministër tjetër (i përzgjedhur në baza vjetore), dhe katër kryetarë komunash (të për zgjedhur në mënyrë të rastësishme në baza vjetore, por me kusht që njëri të vijë nga komunat e pakicave kombëtare). Përgjegjësitë kryesore të këtij Komisioni janë:

  • Të shqyrtojë formulën për ndarjen e granteve çdo tre vite;
  • Në baza vjetore, të përcaktojë formulën e granteve me sistem të hapur (të shëndetësisë dhe të arsimit);
  • Të shqyrtojë ankesat e komunave rreth formulave të financimit dhe propozimet e tyre për shpenzime kapitale;
  • Të rekomandojë shumën e financimit shtesë për komunat të cilave u janë dhënë kompetenca të shtuara; etj.

Planifikimi i buxhetit duhet t’i përmbahet disa parimeve: Të jetë i targetuar ashtu që merr për bazë nevojat specifike të grupeve të caktuara dhe të margjinalizuara të shoqërisë.

Të jetë gjithëpërfshirës sepse nuk mund të flasim për buxhetim të targetuar pa buxhetim gjithëpërfshirës - si mund t`i kuptojmë nevojat e grupeve të ndyshme të shoqërisë pa i përfshirë ata në procesin e planifikimit të buxhetit.

Të jetë transparent ka të bëjë me lejimin e qasjes së publikut në të gjitha fazat e buxhetimit duke përfshirë fazën e planifikimit por edhe të realizimit të buxhetit të komunës. Transparenca nënkupton që buxheti të jetë jo vetëm lehtësisht i qasshëm, por duhet që të përpilohen formate të thjeshtëzuara lehtësisht të kuptueshme nga të gjithë.

Duke vepruar sipas Ligjit për Barazi Gjinore Nr.05/L-020 (2015), institucionet e Kosovës

janë përgjegjëse për ”përfshirjen e buxhetimit gjinor në të gjitha fushat, si një instrument i

nevojshëm për të garantuar që parimi i barazisë gjinore të respektohet në mbledhjen,

shpërndarjen dhe caktimin e burimeve” (Neni 5.1.5.).

Për këtë arsye, organizatat buxhetore duhet të bëjnë të dukshme efektet e shpenzimeve publike në barazinë gjinore në buxhetin vjetor për vitin 2018. Kjo do të kontribuon gjithashtu në rritjen e efektivitetit dhe transparencës së menaxhimit të financave publike. Duhet të merrni parasysh këto udhëzime në nxjerrjen e qarkores së brendshme buxhetore komunale, si dokument bazë për planifikimin e buxhetit tuaj komunal për periudhën 2018-2020. Nëse ka paqartësi në këtë drejtim, organizatat buxhetore mund të konsultohen me analistët përkatës në kuadër të Departamentit të Buxhetit në Ministrinë e Financave.

Vegëza Relevante

Print
0 Klikoni këtu për të pyetur Komunën

Categories: Menaxhimi financiar, Planifikimi dhe implementimi i buxhetitNumber of views: 379018

Pyet Komunën:

x