X
GO
sq-ALsr-Latn-RSen-GB

 

Kompetencat vetanake (themelore) nënkuptojnë kompetencat e plota dhe eksluzive që i takojnë vetëm komunave. Kompetencat vetanake janë të listuara në nenin 17 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.

Fushat që janë kompetencë vetanake e komunave kanë të bëjnë me shërbime dhe nevoja të përditshme të qytetarëve apo shërbime esenciale, në mënyrë që të sigurohet cilësia e duhur e këtyre shërbimeve por edhe që rregullimi i tyre të bëhet sipas specifikave dhe nevojave të qytetarëve të lokacioneve gjeografike të caktuara.

e hënë, 12 shkurt 2018

Kompetencat vetanake

Disa nga fushat që përfshihen në kuadër të kompetencave vetanake të komunave janë:

Zhvillimi lokal ekonomik

Një nga kompetencat kryesore të komunave është zhvillimi lokal ekonomik. Mundësitë e komunave për zhvillim ekonomik janë të shumta. Komunat duhet të sigurohen që të mbledhin informacione dhe të dhëna mbi gjendjen e ekonomise lokale, pastaj të bëjnë analizimin e tyre me qëllim të përcaktimit të strategjive e pastaj të bëjnë implementimin e tyre.

Ndër masat që mund të mirren për zhvillim lokal ekonomik janë: Lehtësira për bizneset; thjeshtëzim të procedurave për hapjen e bizneseve të reja,  lirimin nga taksat, fuqizim të kapaciteteve menaxhuese financiare dhe ekonomike të zyrtarëve lokal të komunave, mbështetje për bizneset dhe bujqit, stimulim i  punësimit të qytetarëve në bizneset e komunave në këmbim të lirimit nga një shkallë e taksave, nxitje e udhëheqjes lokale që rregullisht të viziton firmat që të kuptohen përpjekjet e komunitetit, krijim të fondeve nga buxheti i komunës për investime në biznese të reja që nuk mund të marrin kredi nga institucionet financiare, trajnime të ndërmarrëseve fillestar për menaxhment, marketing dhe aftësi për planifikim, strategji për riaktivizimin dhe riintegrimin ekonomik të diasporës, tërheqje e investitorëve, donatorëve të jashtëm, etj.

Planifikimi urban dhe rural

Komunat përcaktojnë drejtimin e përgjithshëm për komunat e tyre përmes planifikimit afatgjatë. Shembujt përfshijnë planet e kuvendit, planet financiare, deklaratat strategjike komunale dhe planet e tjera strategjike.

Vendosja e vizionit dhe pastaj sigurimi që ajo të arrihet, është një nga rolet më të rëndësishme të qeverisjes lokale. Mënyra se si komuna e përdorë tokën e saj determinon edhe procesin e zhvillimit të saj në të ardhmen dhe  vendimet statutore të planifikimit janë komplekse dhe shpesh kontradiktore. Vendimet që kanë të bëjnë me pronën e komunës janë përgjegjësi e padelegueshme e kuvendit të komunës, rrjedhimisht nga anëtarët e kuvendit të komunës kërkohet që të jenë të informuar për proceset nga të cilat kërkohet nga ata që të vendosin. Të qenit i qartë për rolet që ata kanë, është nga kërkesat kryesore të procesit të qeverisjes së mirë.

Planifikimi strategjik përfshin planifikimin zhvillimor komunal, planifikimin zhvillimor urban dhe planifikimin rregullues urban por edhe ndryshimin i tyre.

Kuvendi i miraton këto plane pasi që të bëhet inqizimi i gjendjes faktike nga drejtoritë relevante, zakonisht drejtoritë për planifikim strategjik dhe zhvillim të qëndrueshëm, në bashkëpunim me drejtoritë e pronave, drejtoritë e urbanizmit apo drejtoritë e kadastrit varësisht sipas komunave. Pas përplimit të planeve, këto plane miratohen nga kuvendi i komunës. 

Miratimi i akteve komunale që kanë të bëjnë me planifikimin urban dhe rural rregullohet sipas neni 11 dhe 12 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokalenenit 10 të Ligjit për Planifikim hapsinor, Ligjin për Trajtimin e Ndërtimeve Pa Leje, Ligjit për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimit të pronës së paluajtshme të komunës, statuseve përkatëse të komunave, dhe rregulloret relevante të komunave.

Anëtarët e kuvendit të komunës duhet të kuptojnë që planifikimi zhvillimor i komunave ka rëndësi për të ardhmen e komunitetit ku ata jetojnë, prandaj para se të marrin vendime duhet që së pari të i informojnë qytetarët që i përfaqësojnë për projekt planet, pastaj të dëgjojnë vërejtjet dhe këshillat eventuale, dhe në fund të shqyrtojnë të gjitha informacionet që ata i posedojnë për të marrur vendimin e caktuar. Kjo është shumë e rëndësishme pasi që shpesh ndodh që gjatë fushatës zgjedhore proklamohet diçka, ndërsa nuk përmendet fare në planet e komunës, e kjo ndodh edhe për shkak të mosinformimit të duhur të anëtarëve të kuvendit.

Rëndësia e planifikimit

Anëtarët e kuvendit kur kontribuojnë në përpilimin e planeve strategjike ata formësojnë kornizat brenda së cilave do mirren vendimet, rrjedhimisht ata formësojnë vizionin dhe të ardhmen e qytetit. Duke ditur se vendimet e ardhshme do jenë në korniza të këtyre planeve, anëtarët e kuvendit duhet që të shpenzojnë energji dhe kohë për të kuptuar dhe vlerësuar pasojat e politikave zhvillimore. Planet zhvillimore në diskursin publik në Kosovë, nuk kanë magnitutën, nuk diskutohen njëlloj sikur vendimet tjera të cilat me zbatimin e tyre sjellin pasoja të menjëhershme, prandaj anëtarët e kuvendit duhet të dijnë se impakti i planifikimit është më i madh se çdo vendim i veçantë për një aplikim të veçantë të planifikimit.

Ofrimi dhe mirëmbajtja e shërbimeve publike dhe komunale

Qeveria lokale është përgjegjëse për menaxhimin dhe shpërndarjen e një sërë shërbimesh cilësore për komunitetet e tyre, siç është furnizimi me ujë, trajtimi i ujërave të zeza, transporti lokal, shëndeti publik, mirëmbajtja e hapësirave rekreative, mirëmbajtja lokale e rrugëve dhe bibliotekave publike.

Janë vetë qytetarët ata të cilët më së miri vlerësojnë kualitetin e këtyre shërbimeve, prandaj është e domosdoshme që anëtarët e kuvendit të krijojnë linja të rregullta komunikimi me komunitetin e tyre, në mënyrë që t’i përcjellin vërejtet e tyre në ekzekutivin e komunës.

Anëtarët e kuvendit mund të luajnë rol shumë pozitiv në vetë aktivizimin e qytetarëve duke i proceduar vërejtjet apo sygjerimet e tyre sa i përket shërbimeve komunale. Popullsia e komunave në Kosovë përbëhet në shumicë nga të rinjtë, andaj anëtarët e kuvendit duhet të shfrytëzojnë platformat sociale që ofron interneti në mënyrë që të jenë sa më afër qytetarëve dhe të kënë parasysh nevojat e tyre, në mënyrë që shërbimet të ju qasen sa më mirë atyre.

Fatkeqësisht ndonëse Ligji për vetëqeverisje lokale parasheh që ushtrimi i kompetencave nga kjo fushë është kompetencë eskluzive e komunave, në praktikë kjo nuk është e mundur pasi që një pjesë e madhe e shërbimeve ofrohen nga ndërmarrje publike të cilat statusin e tyre e kanë të definuara relativisht të pavarur nga komuna. Gjithsesi anëtarët e kuvendit duhet që të ushtrojnë presion mbi këto ndërmarrje që të ofrojnë shërbime sa më të mira, si dhe të jenë të informuara për pronësinë e ndërmarrjeve publike përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve komunale si dhe procedurat se kujt i japin llogari këto ndërmarrje. Informatat lidhur me pronësinë dhe procedurat se si kuvendi komunal mund të kërkojë llogaridhënie nga këto ndërmarrje gjinden në Ligjin për ndërmarrje publike dhe ndryshimet e tij.  Ndërmarrjet e radhitura në Listën 2 e cila i është bashkangjitur këtij ligji janë ndërmarrje publike lokale. Të gjitha ndërmarrje publike lokale janë në pronësi të komunës ose komunave të përcaktuara në Listën 2, dhe përqindja e pronësisë së secilës komunë është siç është përcaktuar në Listën 2.

Ndërmarrjet publike lokale

Të drejat e komunës si aksionar në një ndërmarrje publike lokale ushtrohen përmes Komisionit Komunal të Aksionarëve, e që përbëhet nga një anëtar i emëruar nga kryetari i komunës dhe dy anëtarë të tjerë  të emëruar nga kuvendi komunal. Për këtë qëllim, Komisioni Komunal i Aksionarëve ka të drejtë të veprojë në emër të komunës përkatëse dhe duhet të veprojë në përputhje me  Ligjin për Shoqëritë Tregtare. Çdo Komision Komunal i Aksionarëve duhet, me shumicë të thjeshtë votash, të vendosë se si do t’i ushtrojë të drejtat e aksionarit të komunës në një çështje të caktuar.

 Bordi i Drejtorëve të një ndërmarrje publike përbëhet nga pesë (5) drejtorë. Katër (4) drejtorë zgjidhen në një mbledhje të aksionarëve dhe secili ka mandat prej tri (3) viteve. Komisioni Komunal i Aksionarëve e përfaqëson komunën në këtë mbledhje dhe i ushtron të drejtat e votimit të komunës.

Drejtori tjetër është Kryesues Ekzekutiv i ndërmarrjes publike i cili zgjidhet nga Bordi i Drejtorëve të ndërmarrjes publike.

Aksionari (në këtë rast komuna) mbikëqyr në mënyrë të vazhdueshme punën e Bordit të Drejtorëve. Në nivel lokal mbikëqyrja e punës së bordeve bëhet nga Komisioni Komunal i Aksionarëve.

Bordi i Drejtorëve i një ndërmarrje publike lokale duhet t’i dorëzojë Komisionit Komunal të Aksionarëve një raport vjetor për vitin kalendarik dhe rezultatet e arritura në bazë të caqeve të vendosura në Planin e Biznesit brenda 3 muajve pas përfundimit të vitit kalendarik. Përveç raportimit të rregullt, Bordi duhet të i përgjigjet menjëherë të gjitha kërkesave për informata që kërkohen nga Komisioni Komunal i Aksionarëve. Këto dokumente duhet të publikohen në ueb-faqen e komunës.

Vegëza Relevante

Print
0 Klikoni këtu për të pyetur Komunën

Categories: Kompetencat dhe organizimi i qeverisë lokale, Kompetencat vetanakeNumber of views: 917988

Pyet Komunën:

x