X
GO
sq-ALsr-Latn-RSen-GB

 

Autoritetet e nivelit qendror munden që t’u delegojnë përgjegjësi komunave lidhur me shënimet kadastrale, regjistrimin civil, regjistrimin e votuesve, regjistrimin e biznesit dhe licensimin e tyre, shpërndarjen e pagesave të ndihmës sociale dhe mbrojtjen e pyjeve.

Këto kompetenca mund të ju mirren komunave kur ato nuk kanë kapacitete për ushtrimin e tyre. Prandaj jo të gjitha këto kompetenca i janë deleguar komunave për shkak të problematikës në procedurën e delegimit por edhe vetë mundësive të komunave për  t’i ofruar këto shërbime.

e enjte, 22 shkurt 2018

Kompetencat e deleguara

Shënimet kadastrale

Një nga kompetencat e deleguara nga niveli qendror tek ai komunal janë shërbimet kadastrale.  Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK) është institucioni qendror qeveritar për kadastër gjeodezi dhe hartografi ne Kosove që vepron në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Në kuadër të komunave janë të formuara Zyrat Komunale për Kadastër, ato janë përgjegjëse për funksionimin e kadastrit, këto zyra bëjnë matjet dhe grumbullimin e të dhënave në terren me qëllim të regjistrimit në kadastër, apo ri-rregullimin e kufijve kadastral bazuar në të dhënat në kadastër dhe rindërtimin kadastral; krahas aktiviteteve të specifikuara me udhëzime admininistrative të Agjensisë Kadastrale të Kosovës apo të Ministrive së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Nënpunësit që kryen matje në kuadër të Zyrës Kadastrale të Komunës duhet të jenë të certifikuara nga Agjencia Kadastrale e Kosovës. E për më shumë çdo aktivitet i Zyrës Kadastrale të komunës realizohet dhe pasqyrohet në bazën qendrore të të dhënave të Agjensisë Kadastrale të Komunës. Legjislacionin për shënimet kadastrale mund ta gjeni në ueb-faqen e Agjensisë Kadastrale të Kosovës. E këtu nëse ju nevojitet i gjeni kontaktet e zyrave kadastrale të komunave.

Shërbimet që ofron ZKK përfshijnë: Regjistrimin e pronave në regjistrat kadastrale, Realizimin e matjeve kadastrale, regjistrimin e te drejtave pronësore duke përfshirë regjistrimin e pronësisë, hipotekave, servitutit, regjistrim te servitutit, regjistrimin e qiradhënies dhe te drejtave mbi shfrytëzim, regjistrim te ndalesave, regjistrimin e kufizimeve dhe ngarkesave të ndryshme.

Shembull: Nëse kjo kompetencë e deleguar nuk do të ekzistonteatëherë secili qytetar do të duhej të shkonte në selinë e  Agjensinë Kadastrale të Kosovës. Në këtë kuptim një qytetar i Pejës do të duhej që të vinte në Agjensinë Kadastrale të Kosovës në Prishtinë për ta regjistruar pronën e tij.

Regjistrimi civil

Një nga kompetencat e deleguara nga niveli qëndror ndaj komunave është ofrimi i regjistrimit civil. Shërbimi i gjendjes civile në Kosovë është i organizuar në:  nivelin qendror të shërbimit të gjendjes civile, respektivisht Agjencinë; nivelin lokal të shërbimit të gjendjes civile, respektivisht Zyrat e gjendjes civile; shërbimi i gjendjes civile në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Kosovës. Në Zyrat e gjendjes civile në komunën përkatëse regjistrohen faktet e lindjeve, martesave dhe vdekjeve. Të njihesh para ligjit është e drejtë themelore e çdo qytetari, dhe regjistrimi civil është proces përmes të cilit individi mund të identifikohet dhe të njihet si pjese e shoqërisë ku jeton. Përmes regjistrimit civil, qytetaret kane  mundësinë te pajisen me dokumente zyrtare dhe te ushtrojnë te drejtat dhe liritë e tyre. Pajisja me dokumente udhëtimi dhe letërnjoftime janë gjithashtu në përgjegjësinë në nivel komunal më saktësisht pajisja me: Certifikata të lindjes, Certifikata të statusit martesor, Certifikatë martese, Certifikatë vendbanimi, Certifikatë për lidhje martese, Certifikatë vdekjeje, Certifikata e bashkësisë familjare

Komunat duhet të fokusohen në rritjen e numrit të regjistrimit civil dhe investimin financiar për rritjen e burimeve logjistike dhe njerëzore për funksionimin e duhur të tyre. Në veçanti, komuna duhet të fokusohet për të ju ofruar komuniteteve pakicë mundësinë e pajisjes me dokumentacion në gjuhën e tyre dhe lehtësim të komunikimit dhe shërbimit në gjuhët zyrtare, drejtpërdrejtë përmes shërbyesve civil apo përmes asistencës gjuhësore.

Do të thotë nëpër komuna pos të tjerash në arkivin e Zyrës së gjendjes civile ruhet Regjistri Themeltar i Gjendjes Civile – libri i gjendjes civile ku pasqyrohen të gjithë përbërësit e gjendjes civile, për çdo shtetas të Kosovës, shtetas të huaj dhe çdo person pa shtetësi, me banim të përkohshëm apo të përhershën në Republikën e Kosovës. Legjislacionin për regjistrimin civil mund ta gjeni këtu.

Shembull: Nëse kjo kompetencë e deleguar nuk do të ekzistonte atëherë secili qytetar do të duhej të shkonte në selinë e Agjensisë së Regjistrimit Civil. Në këtë kuptim çdo qytetar i Kosovës do të duhej që të vinte në Prishtinë për të e regjistruar martesën e tij/saj.

Regjistrimi i votuesve

KQZ-ja mban Listën e Votuesve dhe siguron që Lista e Votuesve është e saktë dhe e azhuruar mirëpo këtë e bën përmes Regjistrit Qendror Civil që e pajis KQZ-në me të gjitha informatat përkatëse që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon për të mirëmbajtur Listën e Votuesve.

Administrimi i Regjistrit Qendror të Gjendjes Civile bëhet nga Agjencia për Regjistrimin Civil. Por përditësimi i të dhënave të regjistrit bëhet nga zyrtarët e shërbimit të gjendjes civile në zyrat e gjendjes civile pra nëpër komuna apo zyrtarët në përfaq  ësitë diplomatike dhe konsullore.  

Pra ndonëse Ligji për Zgjedhje të Përgjithshme mban përgjegjës KQZ për Listën e Votuesve, duke qenë se zyrtarët e shërbimit të gjendjes civile nëpër komuna përditësojnë të dhënat atëhere në këtë kuptim bie si kompetencë e deleguar.

Poashtu një nga kompetencat e deleguara nga  niveli qëndror ndaj komunës është administrimi i zgjedhjeve. Organi përgjegjës për zbatimin e aktiviteteve zgjedhore brenda territorit te komunës është Komisioni Komunal i Zgjedhjeve (KKZ). Ky Komision është i përbërë nga 7 anëtarë të cilët duhet të përfaqësojnë të gjitha komunitetet me numër të dallueshëm brenda komunës.

Përgjegjësitë e Komisionit Komunal Zgjedhor përfshijnë administrimin e zgjedhjeve brenda komunës nën mbikëqyrjen dhe udhëzimet e KQZ-së dhe në përputhje me ligjin në fuqi. Në këtë mënyrë, themelimi i një zyre brenda godinës së administratës komunale është e nevojshme për të kryer të gjitha detyrat e nevojshme. Secili Komision duhet të sigurojë informata të paanshme për partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe administrimin e zgjedhjeve për të gjithë votuesit dhe komunitetin. Ky komision është përgjegjës për mbajtjen e përshtatshme të votimit dhe të numërimit te votave, përmbledhjen e rezultateve të zgjedhjeve.

Regjistimi i biznesit

Për regjistrimin e bizneseve institucion përgjegjës është Agjensia e Regjistrimit të Bizneseve. Mirëpo janë 29 qendra komunale të regjistrimit (me mundësi të shtimit të tyre) të cilat regjistrojnë të dhënat në një sistem elektronik i lidhur me zyrën qendrore të ARBK.

Shembull: Nëse kjo kompetencë e deleguar nuk do të ekzistonte atëherë secili qytetar do të duhej të shkonte në selinë e ARBK. Në këtë kuptim një qytetar i Mitrovicës do të duhej që të vinte në Prishtinë për të e regjistruar biznesin e tij/saj.

Shpërndarja e pagesave të ndihmës sociale

Secila komunë, përmes drejtoratit të saj përkatës, është përgjegjëse për sigurimin e ofrimit të shërbimeve sociale dhe familjare brenda territorit të saj sipas standardit të specifikuar nga Ministria.

Qendra për Punë Sociale (QPS), është institucion publik profesional në nivel komunal e cila është përgjegjëse për mbrojtjen e të gjithë qytetareve me nevoja sociale. Në kuadër të kësaj Qendre, vepron Organi i Kujdestarisë i përbërë nga ekspertë të kësaj fushe. Ky organ komunal është  përgjegjës për ofrimin e ndihmës sociale dhe mbrojtjen e interesave të fëmijëve dhe të rriturve dhe sigurimin e ofrimit te shërbimeve.

Drejtoratet lejohen qe përmes QPS-ve dhe organizatave joqeveritare të mundësojnë shërbime shtesë për grupet me nevoja sociale. Drejtoratet janë përgjegjës për të identifikuar natyrën dhe përmasat për shërbime sociale dhe të përgatisin plane vjetore për mirëmbajtje të këtyre shërbimeve. Për qëllim të transparencës dhe përfshirjes së komunitetit, drejtoratet duhet të publikojnë raportin vjetor në lidhje me këto shërbime dhe aktivitetet e zhvilluara.  Përfshirja e akterëve kryesore në ofrimin e këtyre shërbimeve dhe konsultimi me komunitetin dhe grupet relevante janë esenciale për drejtoratet gjate përpilimit të planeve vjetore.

Ndonëse kanë përgjegjësinë e përgjithshme për ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare në territorin e tyre, asnjë anëtar i zgjedhur i asamblesë komunale ose zyrtar i komunës nuk mund të japë urdhëresa në lidhje me menaxhimin profesional të cilitdo rast të veçantë të shërbimeve sociale dhe familjare, as të ketë qasje në të dhënat konfidenciale të rastit.

Komunat ose organizatat e tjera qeveritare dhe joqeveritare, përfshirë edhe ndërmarrjet private mund të ofrojnë shërbime sociale dhe familjare. Megjithatë, Ministria rezervon të drejtën që të përcaktojë ku, si dhe kush i kryen këto shërbime, si edhe të drejtën që këto shërbime t’i ofrojë vetë në mënyrë të drejtpërdrejtë nëse rrethanat e arsyetojnë këtë. Legjislacionin për shpërndarjen e pagasave të ndihmës sociale mund ta gjeni këtu.

Mbrojtja e pyjeve

Mbrojtja e pyjeve si kompetencë delegohet nëpër komuna. Shërbimi i mbrojtjes së pyjeve në tërësi në pajtim me nenin 29.1, 29.2, dhe 29.3 të kapitullit VIII të e Ligjit për Pyjet Kosovës janë  kompetencë komunale. Nëse konfiskohet masa drusore nga shërbimi i mbrojtjes së pyjeve në komuna, të hyrat i takojnë komunës. Komunat janë të obliguara që së paku një herë në vit të kryejnë regjistrimin e terreneve dhe të dërgojnë raport me shkrim organit kompetent që menaxhon me pyje në këtë rast Agjencisë Pyjore të Kosovës.

Vegëza Relevante

Print
0 Klikoni këtu për të pyetur Komunën

Categories: Kompetencat dhe organizimi i qeverisë lokale, Kompetencat e deleguaraNumber of views: 224661

Pyet Komunën:

x