X
GO
sq-ALsr-Latn-RSen-GB

 

Ligji për vetëqeverisjen lokale është krijuar në mënyrë të tillë duke i kushtuar kujdes përkatës nevojave të posaçme dhe brengave të komuniteteve jo shumicë në Republikën e Kosovës.

e martë, 17 prill 2018

Komunitetet

Tek seksioni i kompetencave të zgjeruara mund të lexoni për disa të drejta karakteristike që i takojnë disa komunave specifike. Përpos kësaj për të garantuar përfaqësim të komuniteteve etnike jo-shumicë në kuadër të çdo kuvendi komunal themelohet Komiteti për komunitete si i përhershëm. Për më shumë në komunat ku së paku 10% e qytetarëve i takojnë komuniteteve joshumicë, posti i zëvendëskryesuesit të kuvendit të komunës për komunitete rezervohet për përfaqësuesin e këtyre komuniteteve. Zëvendëskryesuesi i kuvendit të komunës për komunitete i komunës promovon dialog ndërkomunal dhe shërben si pikë qendrore zyrtare për adresimin e brengave dhe interesave të komuniteteve joshumicë në mbledhjet e kuvendit.

Zëvendëskryesuesi i kuvendit të komunës për komunitete është përgjegjës për shqyrtimin e ankesave të komuniteteve apo pjesëtarëve të tyre, në mënyrë që aktet apo vendimet e kuvendit të komunës të mos i shkelin të drejtat e garantuara kushtetuese të tyre.

Në rast se kuvendi i komunës nuk e shqyrton aktin apo vendimin, ose zëvendëskryesuesi i kuvendit të komunës konsideron se rezultati, pas rishqyrtimit, ende paraqet shkelje të të drejtave të garantuara kushtetuese, ai mund ta parashtrojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese e cila mund të vendosë për pranimin e çështjes për shqyrtim.

Në të njëjtën mënyrë komunat ku të paktën 10% e qytetarëve i përkasin komuniteteve jo shumicë kanë një nënkryetar për komunitete. Nënkryetari për komunitete i ndihmon kryetarit përmes këshillave dhe udhëzimeve lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me komunitetin pakicë.

Për më shumë Rregullorja Nr.02/2010 për Zyrat Komunale për Komunitete dhe Kthim, ka themeluar zyra të posaçme  për t'i mbrojtur të drejtat e komuniteteve, për të siguruar qasje të barabartë në shërbime dhe për të krijuar kushte për kthim të qëndrueshëm; këto zyra janë obligative në të gjitha komunat; I raportojnë kryetarit të komunës; madhësia e zyrës dhe numri i pozitave të punonjësve përcaktohet varësisht nga përqindja dhe nevojat e komuniteteve që banojnë në komunë, si dhe numri i planifikuar apo i pritur i të kthyerve dhe personave të riatdhesuar.

Detyrat themelore të  Zyrave Komunale për Komunitete dhe Kthim  janë krijimi i kontakteve me të gjitha komunitetet dhe kategoritë e përfituesve (p.sh. të kthyerit, personat e riatdhesuar ose rastet sociale nga radhët e komuniteteve që janë pakicë numerike në komunën përkatëse), vlerësimi i të drejtave të komuniteteve/nevojave të përfituesve. bashkërendimi dhe bashkëpunimi me OJQ, donatorë dhe palë tjera të interesit, përgatitja, monitorimi ose vlerësimi i projekteve që janë në dobi të komuniteteve, lehtësimi e qasjes në mundësitë që komunitetet të marrin pjesë në hartimin e strategjive/politikave/ planeve përkatëse të veprimit, monitorimin e politikave që kanë të bëjnë me mbrojtjen/promovimin e të drejtave të komuniteteve apo të përfituesve specific, ofrimin e këshillave (me shkrim apo gojarisht) për kuvendin e komunës ose organet ekzekutive të komunës në lidhje me çështje që kanë të bëjnë mbrojtjen/promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe informimi publik ose vetëdijesimin e komuniteteve dhe grupe të veçanta të përfituesve.

Print
0 Klikoni këtu për të pyetur Komunën

Categories: Të drejtat e qytetarëve, KomunitetetNumber of views: 863558

Pyet Komunën:

x