X
GO
sq-ALsr-Latn-RSen-GB

 

Qeverisja e mirë nuk ka të bëjë me marrjen e vendimeve "korrekte", por për procesin më të mirë të mundshëm për marrjen e këtyre vendimeve. Qeverisja e mirë nuk është e lidhur vetëm me performancën e institucioneve, por edhe kontributin dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në procesin e marrjes dhe zbatimit të vendimeve.

e diel, 4 shkurt 2018

Çka është qeverisja e mirë?

Institucionet e qeverisjes janë vetëm një nga aktorët në qeverisje. Aktorë të tjerë përfshijnë grupe qytetarësh, organizata të shoqërisë civile, media, biznese, institute kërkimore, sindikata, shoqata të ndryshme, parti politike, udhëheqës fetarë. Siç shihet secili prej nesh është pjesë e qeverisjes. Të jesh aktiv dhe të kuptosh rolin tënd siguron atë që e quajmë qeverisje e mirë.

 Një komunë me qeverisje të mirë e me vendime të mira, nuk qeverisë e vetme.

Që kjo komunë të ketë zhvillim të përbashkët e vendime sa me të mira, sipas Këshillit të Evropës janë një mori parimesh që duhet ndjekur:

Zgjedhje të drejta dhe të lira

Zgjedhjet lokale duhet të jenë të lira dhe të drejta, sipas standardeve ndërkombëtare dhe legjislacionit kombëtar, pa ndonjë mashtrim. Qytetarët janë në qendër të veprimtarisë publike dhe duhet të jenë të përfshirë në mënyra të përcaktuara qartë në jetën publike në nivel lokal.

Pjesëmarrje e gjerë për qeverisje të mirë

Pjesëmarrja nga burrat dhe gratë, moshuarit dhe të rinjtë është një kërkesë kryesore e qeverisjes së mirë. Gjithkush që dëshiron të kontribuojë në marrjen e vendimeve, duhet të jetë në gjendje ta bëjë këtë, nëpërmjet mënyrave të drejtpërdrejta, duke qenë në të vërtetë pjesë e procesit të vendimmarrjes ose përmes dhënies së mendimeve përfaqësuesve të tyre ose rekomandimeve për institucionet e tjera të qeverisjes vendore.                                                                                                        

Qeveri lokale efektive dhe efikase

Qeveria lokale duhet të zbatojë objektivat e premtuara dhe të bëjë përdorimin më të mirë të mundshëm të kapacitetit njerëzor, burimeve dhe kohës në dispozicion për të siguruar rezultatet më të mira të mundshme për komunitetin, ndërsa i gjithë procesi duhet vlerësuar në intervale të rregullta përmes sistemeve të menaxhimit të performancës.

Përgjegjshmëria

Qeveria lokale duhet të përpiqet gjithmonë t'i shërbejë nevojave të të gjithë komunitetit, ndërsa shërbimet publike duhet ofruar në kohë, përderisa kërkesave dhe ankesave duhet përgjigjur sa më shpejt që të jetë e mundur.

Llogaridhënëse

Të gjithë vendimmarrësit individ apo kolektiv, marrin përgjegjësinë për veprimet e tyre. Përgjegjësia e tyre zbatohet me masa efektive kundër keqadministrimit dhe kundër veprimeve të organeve të qeverisjes lokale që shkelin të drejtat.

Sjellje etike dhe respektim i sundimit të ligjit

Kur ka qeverisje të mirë ligji zbatohet, autoritetet lokale respektojnë vendimet gjyqësore dhe juridike, ndërsa rregullat miratohen në përputhje me procedurat e parashikuara me ligj. Gjithmonë interesi publik qëndron përpara interesit individual.

Qeveri lokale kompetente

Zyrtarët publikë janë të pajisur me aftësi profesionale, ndërsa kur nevojitet për t’i përmirësuar ato, i forcon ato ashtu që të sigurojë rezultate më të mira që priten. Në një komunë ku ka qeverisje të mirë gjithmonë ka motivim për të përmirësuar performancën.

Menaxhimi i shëndoshë financiar

Planet vjetore të buxhetit zhvillohen në konsultim me publikun. Procedurat e prokurimit bëhen me maturi, duke vlerësuar nevojat, kërkesat dhe të ardhurat. Shërbimet publike duhet të jenë të përballueshme dhe tarifat për to nuk duhet të tejkalojnë koston e shërbimit të ofruar. Shpenzimet duhet të llogariten dhe vlerësohen si duhet.

Të drejtat e njeriut dhe diversiteti

Brenda sferës së ndikimit të institucioneve lokale, të drejtat e njeriut respektohen, mbrohen dhe zbatohen, ndërsa luftohet diskriminimi për çfarëdo arsye. Zyrtarët publikë respektojnë të drejtat dhe liritë e të gjithëve, pavarësisht dallimeve të tyre. Diversiteti kulturor trajtohet si një pasuri dhe qeveria lokale bën përpjekje për t'u identifikuar me të. Zonat e pazhvilluara integrohen vazhdimisht.

Transparente

Aty ku ka qeverisje të mirë ka qasje në të gjitha dokumentet publike, vetëm në rast se ato janë të klasifikuara bëhet përjashtim mirëpo arsyet janë gjithmonë të përcaktuara me ligj. Informacionet mbi vendimet, zbatimin e politikave dhe rezultatet e aktiviteteve të komunave vihet në dispozicion të publikut në mënyrë të tillë që të mundësojë që qytetari të ndjekë dhe të kontribuojë në mënyrë efektive në punën e institucioneve lokale.

Inovative dhe e hapur ndaj ndryshimeve

Krijohet një klimë e favorshme për të arritur rezultate sa më të mira, ndërsa idetë e reja janë të mirëpritura për tu vendosur në realitet. Gjithmonë kërkohen teknologji dhe zgjidhje të reja dhe efikase.

Zhvillimi i qëndrueshëm

Vendimet merren me qëllim të kërkimit të përmirësimeve afatgjata, ndërsa nevojat e gjeneratave të ardhshme merren parasysh në politikat aktuale. Kostot, problemet dhe tensionet e vendimeve të sotshme nuk duhet të jenë barrë që transferohet tek gjeneratat e ardhshme.

Vegëza Relevante

Print
0 Klikoni këtu për të pyetur Komunën

Categories: Për qeverisjen e mirë lokale, Çka është qeverisja e mirë?Number of views: 157249

Pyet Komunën:

x