X
GO
sq-ALsr-Latn-RSen-GB

 

Kryetari i Komunës zgjidhen çdo katër vjet nëpërmjet votimit të drejtpërdrejtë sipas mënyrës së parashikuar në Ligjin për Zgjedhje Lokale. Kryetari i komunës në kryerjen e funksioneve dhe ushtrimin e kompetencave të tij, ndihmohet nga një nënkryetar të cilin e emëron kryetari i komunës dhe e ndihmon atë në ushtrimin e funksioneve ekzekutive të përditshme si dhe vepron në emër të kryetarit në mungesë të tij.

e mërkurë, 7 mars 2018

Kryetari i Komunës

Cilat janë kompetencat dhe detyrat e kryetarit të komunës?

Zgjedhja e drejtpërdrejtë e kryetarit të komunës i mundëson atij/asaj autonomi të gjerë. Ligji për Vetëqeverisje Lokale e karakterizon një dallim i qartë midis rolit të Kuvendit të Komunës (pushteti legjislativ) dhe atij të Kryetarit të Komunës (pushteti ekzekutiv).

Kompetencat dhe detyrat e kryetarit të komunës janë të listuara në nenin 58 të LVL-së. Ndër përgjegjësitë kryesore qe i takojnë kryetarit të komunës është që ky organ vazhdimisht  autorizon dhe mbikëqyrë ekzekutimin e vendimeve të marra nga ana e komunës dhe administrimin financiar të komunës.

Kryetari i komunës është përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të vendimeve dhe akteve të miratuara nga kuvendi i komunës dhe për të përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e komunës në mënyrë të duhur. Ai ose ajo gjithashtu ka autoritetin për të përfaqësuar komunën dhe vepron në emër të saj. Shtrirja e përgjegjësive të kryetarit gjithashtu përfshin të drejtën për të nxjerrë udhëzime dhe në të njëjtën kohë për të marrë vendime.

Kryetari emëron dhe shkarkon të gjithë drejtorët e drejtorive te cilët janë përgjegjës për menaxhimin dhe drejtimin e  departamenteve te tyre në përputhje me udhëzimet strategjike dhe politike të kryetarit të komunës. Gjithashtu, drejtorët i raportojnë rregullisht kryetarit për çështjet nën kompetencën e tyre dhe i japin atij të gjitha informatat dhe raportet që janë të nevojshme në procesin e vendimmarrjes. Kjo marrëdhënie i mundëson kryetarit përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive te komunës në mënyrë të duhur dhe përfaqësimin e saj.

Kuvendi i komunës gjithashtu luan rol në realizimin e detyrave të kryetarit të komunës pasi që anëtarët e kuvendit të komunës përcaktojnë politikat e përgjithshme të komunës. Kuvendi i komunës dhe kryetari i komunës kanë të drejtë që të miratojnë akte dhe të ndërmarrin masa për zbatimin e tyre sipas kompetencave përkatëse në përputhje me sistemin kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës. Marrëdhëniet e mira, komunikimi dhe bashkëpunimi mes këtyre dy institucioneve komunale pasqyrojnë qeverisjen e mirë, efikase dhe demokratike si dhe llogaridhënie të qartë për qytetarët.

Pikat kryesore të qeverisjes së mirë së Kryetarit të Komunës

Mënyra në të cilën kryetari i komunës dëgjon qytetarët dhe merr pjesë në takimet publike japin një kontribut të rëndësishëm në qeverisjen e mirë. Një takim i drejtuar mirë që është gjithëpërfshirës dhe ka standarde të larta të qeverisjes mbështetet në qasjen e kryetarit të komunës për të qenë kryetar për të gjithë. Kryetarët e komunave duhet të kenë një njohuri të mirë të kërkesave ligjore lidhur me pjesëmarrjen qytetare.

Kryerja e detyrave me përgjegjësi gjithashtu siguron që të gjithë anëtarët e kuvendit të kenë mundësinë të dëgjohen. Përderisa jo çdo vendim mirret sipas dëshirës së çdo anëtari të kuvendit, vendimi pranohet kur ata ndjejnë se janë përfshirë në vendimmarrje.

Pjesëmarrja, komunikimi, përfshirja, konsensusi, respektimi dhe dëgjimi i ndërsjellë janë të gjitha të rëndësishme në nxitjen e suksesit të punës së komunës.

Promovimi i marrëdhënieve të mira

Marrëdhëniet e mira janë jetike për qeverisje të mirë. Anëtarët e kuvendit veçanërisht mbështeten në bashkëpunimin dhe mbështetjen e kolegëve dhe administratës për të arritur qëllimet e tyre. Ky bashkëpunim bazohet në marrëdhënie të mira dhe në kuptimin dhe pranimin e secilit rol.

Anëtari i kuvendit të komunës mund të kërkojë nga kryetari informacione që janë të nevojshme për punën e tij si anëtar prandaj kryetari i komunës pritet që të krijojë raporte të mira të punës me anëtarët e kuvendit

Kryetari i komunës është në një pozitë ideale për të nxitur marrëdhënie pozitive midis elementëve të ndryshëm të qeverisjes lokale duke vendosur një shembull të mirë. Kjo përfshin marrëdhëniet ndërmjet kryetarit të komunës dhe anëtarëve të kuvendit, kuvendit dhe administratës, dhe kryetarit të komunës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Është e rëndësishme që roli i kryetarit të komunës në ushtrimin e detyrave të tij të jetë udhëheqës i të gjithëve, jo vetëm i atyre që janë përkrahës.

Vegëza Relevante

Print
0 Klikoni këtu për të pyetur Komunën

Categories: Rolet në qeverinë lokale, Kryetari i KomunësNumber of views: 62207

Pyet Komunën:

x